Wednesday, July 14, 2010

Ligji i ri, OSBE: Mbështesim kontrollin e Parlamentit ndaj veprimtarisë së SHISH

TIRANE - Lajmifundit - Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bëri të ditur sot se është duke ofruar asistencë në hartimin e projektligjit mbi mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative dhe të sigurisë.

Një ish-anëtar i specializuar i Komisionit për Sigurinë dhe Shërbimet Informative të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me personelin e OSBE-së, do të japë rekomandime, të cilat do t'i paraqiten Kryetarit dhe anëtarëve të komisionit të të gjitha partive politike, anëtarëve te institucioneve dhe shoqërisë civile, para se të miratohet projektligji. Synohet hartimi i një versioni të parë paraprak për forcimin e procedurave parlamentare, përfshirë përmes proceseve të konsultimit publik.

Kjo mbështetje vjen si përgjigje e kërkesës së Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe është pjesë e Projektit të Prezencës së OSBE-së në Mbështetje të Parlamentit, financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.

Projektligji rregullon mbikëqyrjen nga parlamenti të punës së shërbimeve informative dhe të sigurisë. Ky ligj është i ndryshëm dhe më vete nga ndryshimet në Ligjin "Për Shërbimin Informativ Shtetëror", të debatuara publikisht së fundmi.

Ambasadori Robert Bosch, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, tha: "Mbikëqyrja parlamentare e shërbimeve kombëtare informative dhe të sigurisë, si dhe e institucioneve qeveritare që i mbikëqyrin ato, siguron llogaridhënie demokratike."