Wednesday, July 14, 2010

Tiranë, kontrolli: Uji i ambalazhuar me ngarkesë të lartë bakterologjike

TIRANE – Lajmifundit – Kontrollet e Inspektoriatit Kombëtar të Ushqimit, zbulojnë se uji i ambalazhuar në bidonat 5-6 litra nuk është i pastër siç pretendohet nga subjektet tregtuese.
Sipas analizave mikro-biologjike uji që tregtohet në këta bidona, është i një cilësie që nuk jep siguri për shëndetin e konsumatorit.
Kontrolli ka gjetur se uji ‘Santa Maria’ që prodhohet nga kompania ‘Altrade’ ka mangesi ne procesin teknologjik te larjes se ambalazhit, taposjes dhe etiketimit.
Sipas kontrollit, uji i markës ‘Shen Meria’, nuk jep garanci për pastërtinë e tij pasi makineria e prodhimit ka pasur defekt.
Burime nga inspektoriati kanë thënë se në të njëjtën gjendje janë edhe bidonat që mbajnë mbishkrimet e markave uji ‘Selita’, uji ‘Tirana’.
Kompania ‘Ferra’ e cila prodhon ujin ‘Kristal’ ka marrë një afat për të plotësuar standardet e vendorusa nga Inspektoriati i Ushqimit.
Sipas burimeve nga ky institucion, kompanite prodhuese e tregtuese, nuk e bëjnë të plotë procesin e filtrimit të ujit dhe për këtë shkak, produkti ka ngarkesë të lartë bakteriologjike.
Në disa raste, sipas IKU, ka rezultuar se uji është mbushur direkt nga çezma që kanë për burime ujë të pa përdorshëm për konsum.
Inspektoriati i ushqimit ka paralajmëruar se do të intensifikojë kontrollet për cilësinë e ujit në treg.