Wednesday, July 14, 2010

Vizat, ekspertët e KE takim me Bashën: Ka rezultate në plotësimin e 3 kushteve të fundit

TIRANE – Lajmifundit – Dy ekspertët e Komisionit Europian të cilët kanë mbërritur në Tiranë tri ditë më parë për të verifikuar nga afër plotësimin e kushteve nga Shqipëria për liberalizimin e vizave, kanë shprehur vlerësim për ecurinë e reformave të ndërmarra në vendin tonë në kuadër të plotësimit të “detyrave të shtëpisë” të lëna nga Brukseli.
“Jemi të kënaqur për progresin që kemi konstatuar për plotësimin e kritereve shtesë të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Çdo gjë është në rrugën e duhur”.
Kështu është shprehur Shefi i Njësisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Zgjerimit në Drejtorinë e Përgjithshme për Lirinë dhe Sigurinë të Komisionit Europian Z. Luigi Soreca në takimin me Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha.
Zyrtari I lartë Soreca shoqërohej në takim nga zv.shefi i Njësisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Zgjerimit Vassilis Maragos dhe kreu i Delegacionit të Komisionit Europian Helmut Lohan.
Ministria e Brendshme tha se përfaqësuesit e Komisionit Europian vlerësuan se është bërë punë shumë e mirë për Strategjinë për Riintegrimin e të Riatdhesuarve, se kanë konstatuar rezultate të kënaqshme në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, narkotrafikut dhe trafikut të qenieve njerëzore si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit.
Po kështu, sipas Ministrisë, ekspertët vlerësuan përpjekjet dhe rezultatet e deritanishme të agjencive ligjzbatuese në fushën e goditjes së aseteve ekonomiko-financiare të krimit të organizuar.
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh në takim se qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë vullnetin dhe përkushtimin e plotë jo vetëm për të përmbushur detyrat shtesë të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave por edhe për të vendosur në praktikën e punës të institucioneve shqiptare standartet më të larta të Bashkimit Europian.