Thursday, September 22, 2011

Berisha: BE na doli borxhit, opozita qëllim bllokues për integrimin

Kryeministri Berisha në një intervistë për "Zërin e Amerikës" ka theksuar se opozita shqiptare ka qëllime bllokuese në procesin e integrimit të vendit. Sipas Berishës, Brukseli dhe institucionet europiane kanë përmbushur punën e tyre, por bllokimi ka qenë, dhe është në Tiranë.
“Nëse është pritur deri ditën e fundit për të mos votuar ligjet me 3/5, të domosdoshme për reformat e ndryshme, kjo ka pasur vetëm këtë qëllim, të bllokojë këtë proces. Statusi i kandidatit i Shqipërisë i është përcaktuar me kusht që të plotësohen këto kërkesa. Qeveria ka një plan pune, ka plotësuar dhe plotëson kërkesat e saj që nuk janë me 3/5”, u shpreh kryeministri. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë theksoi se nëse kërkohet të nisë pas afateve, puna për reformën zgjedhore,e cila mund të kishte nisur edhe dy vite më parë, kjo nuk është çështje e Brukselit por është çështje e Tiranës, që ka përzgjedhur bllokimin që kërkon miratimin e ligjeve me 3/5.
“E shkuara është e shkuar, është kapitull i cili mund të mbyllet duke dëshmuar vullnet të hekurt për të votuar ligjet që kërkojnë 3/5, për të ndërmarrë reformën zgjedhore dhe adresuar 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR të bëra për zgjedhjet lokale të 2011”, u shpreh gjithashtu Berisha.
Ndër të tjera ai theksoi se opozita ka përdorur pushtetin e dhënë nga qytetarët jo për të votuar, por e ka përdorur për të bllokuar përpjekjet. “Ne mirëpresim propozimin e saj për të nisur punën për komisionin dhe ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore dhe për të filluar punën. Mirëpresim kërkesën e opozitës, nëse nuk ka qëllim bllokuese për të diskutuar në komisionet parlamentare, ligjet e propozuara nga qeveria. Urojmë të mos jetë taktikë e re bllokuese, gjë e cila do të provohet lehtë gjatë ditëve dhe javëve që vijnë", vijoi kreu i qeverisë.
Në lidhje me reformën zgjedhore, kryeministri Berisha theksoi se janë të gjitha mundësitë që ajo të kryhet në kohën më optimale. Sipas tij, forcat politike kanë një program pune, i cili do të bazohet në 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR.