Thursday, September 22, 2011

Topalli, opozitës: Mos bllokoni Shqipërinë, do mbani përgjegjësi!

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli paralajmëroi deputetët e opozitës se do të mbajnë përgjegjësi në rast se Komisioni Evropian nuk i jep statusin kandidat Shqipërisë për shkak të bojkotit dhe mos votimit të ligjeve me shumicë të cilësuar votash. Në fjalën e saj në seancë Topalli tha se që Shqipëria të ecë drejt integrimit statusi varet nga opozita. “Pa votën tuaj kolegë të opozitës Shqipërisë mund ti pengohet integrimi. Unë kam respekt për burrat, ata e mbajnë fjalën nuk gënjejnë. Javë më parë Rama tha se do votojmë, ndërsa 3 ditë më parë tha se nuk do votojmë. Ne jemi të hapur për t’ju dëgjuar, do shqyrtojmë edhe kërkesën për rregulloren e Kuvendit. Por integrimi nuk pranon kushte, ne nuk pranojmë kushte për integrimin. Ne nuk vendosim kushte për Shqipërinë. Mazhoranca ka bërë oferta. Si politikane ju ftoj me sinqeritet, votoni ligjet që keni para”, u shpreh Topalli. Mos bllokoni Shqipërinë, vijoi ajo, votoni tani, mos na thoni në 13 tetor pse jemi të fundit, do mbani përgjegjësi.