Tuesday, April 10, 2012

“Mbrojtja civile” dyshohet për vrasjen e shqiptarit në Mitrovicë

Organizata e ashtuquajtur “Mbrojtja civile”, që udhëhiqet nga serbët Jovica Lazareviç dhe Desimir Janiçijeviç, në veri të Kosovës, dyshohet se qëndron prapa sulmit me bombë në banesën e familjes Haradinaj, në Mitrovicë.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare të cilat citojnë burime të afërta në procesin e hetimit që kanë thënë se kjo organizatë, pjesë e së cilës janë udhëheqës të strukturave të sigurisë dhe të komunave veriore, mund të jetë autore e këtij sulmi që ka ndodhur të dielën ku për pasojë u vra kryefamiljari Selver Haradinaj dhe u plagosën familjarët e tij.

Edhe pse se nuk ka ndonjë rezultat konkret, hetimet e para, sipas organeve të rendit, tregojnë për një organizim të mirë terrorist ndaj kësaj familjeje. Për këtë arsye, nëse zbulohen krerët e kësaj organizate ata të gjykohen për sulme terroriste.

Të dielën pas mesnatës si pasojë e një shpërthimi është vrarë 38-vjeçari Selver Haradinaj. Nga shpërthimi kanë mbetur të plagosur edhe bashkëshortja dhe katër fëmijët e tij.