Friday, November 30, 2012

AK, Spahiu: Ftesë publike Berishës, të firmosë peticionin e bashkimit Shqipëri-Kosovë

Aleanca Kuqezi ftoi publikisht kryeministrin Sali Berisha që të firmosë peticionin për bashkimin kombëtar me Kosovën. Kreu i AK, Kreshnik Spahiu tha se Aleanca Kuq e Zi do të ftojë në këtë peticion për të nënshkruar të gjithë drejtuesit e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, drejtuesit e institucioneve, politikanë të lartë dhe çdo qytetar që gëzon të drejtën e votës. “Kjo kërkesë do t’i shërbejë dhe hapjes së një debati transparent mbi qëndrimet zyrtare dhe politike të figurave të larta të dy shteteve shqiptare” theksoi Spahiu. Ai vuri në dukje se Aleanca Kuq e Zi vlerëson se pozicionimi pro apo kundër bashkimit të dy shteteve shqiptare do t’i shërbejë të ardhmes dhe një vlerësimi më të saktë me historinë e Shqipërisë. Aleanca Kuq e Zi me 28 Nëntor 2012 ka ndërmarrë inisiativën për të kërkuar organizimin e referendumit popullor për bashkimin e shtetit Shqiptar me shtetin e Kosovës. Kjo kërkesë sipas AK-së është bazuar në “nenin 150, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku populli nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote ka të drejtën t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.