Wednesday, November 20, 2013

Isco: Dua të fitoj tituj me Realin, mrekulli të luash me Ronaldon

Mesfushori i Realit të Madridit, Francisco Roman Alarcon Suarez, i njohur me emrin Isco, konfirmoi se nuk e priste që përshtatja me klubin madrilen të shkonte kaq mirë. 22-vjeçari kujtoi se aktivizimi përkrah një lojtari të madh si Cristiano Ronaldo e ka ndihmuar që të rritet më shumë si futbollist.
 “Është e mrekullueshme të luash përkrah Cristianos, që për mendimin tim është futbollisti më i mirë në botë. Ai më ndihmon në çdo seancë stërvitore, sepse dëshiron të fitojë gjithmonë”, ka theksuar Isco. Sa u përket përshtypjeve të para që ka krijuar në kryeqytetin spanjoll, Isco shprehet: “Nuk shpresoja që të shkonte kaq mirë, sepse sapo erdha u aktivizova në La Liga, shënova gola dhe dhashë asiste duke ndihmuar ekipin. Shpresoj të vijoj kështu. Të jesh pjesë e klubit më të madh në botë është një sfidë e madhe”.
Një nga lojtarët më të mëdhenj nga i cili Isco është frymëzuar që fëmijë, sot është zëvendëstrajner. “Zinedine Zidane është mit në Madrid. Në të gjitha seancat stërvitore na mëson diçka të re, thjesht duke luajtur me njëri-tjetrin. Me klasin që ka treguar ka qenë futbollisti që kam admiruar”, ka shtuar Isco. Brenda një kohe të shkurtër Isco i ka kapërcyer shumë shpejt etapat, nga Valencia B deri te Reali i Madridit, një ecuri të cilën nuk e priste as vetë.
“Nuk e mendoja një ndryshim kaq të shpejtë. Jam shumë i lumtur me gjithçka ka ndodhur në karrierën time, por nuk dëshiroj të ndalem këtu. Synoj të fitoj tituj me Realin e Madridit dhe të bëhem një nga futbollistët më të mirë në botë”, ka përfunduar Isco.