Wednesday, November 20, 2013

Messi: Këpucën e tretë të Artë ia dedikoj familjes dhe skuadrës

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, e ka pranuar çmimin ”Këpuca e Artë” për edicionin 2012/2013 në Spanjë, çmim të cilin e ka fituar për herë të tretë në karrierën e tij. Ai në këtë ceremoni ishte i shoqëruar nga presidenti i klubit, Sandro Rosell, trajneri Gerardo Martino dhe shokët e skuadrës Xavi Hernandez, Jordi Alba, Adriano, Gerard Pique, Cesc Fabregas, Carlos Puyol dhe Pinto.
Gjatë fjalës së tij pas marrjes së këtij çmimi, numri 10 i Barçës foli për gjendjen e tij fizike, duke u shprehur se ky është një lëndim që kërkon kohën e duhur. “Dua të përmirësohem dalëngadalë që të mos ndiej më dhimbje. Nuk kam caktuar ende asnjë datë rikthimi sepse dua t’i marr gjërat me radhë për të mos u nxituar”, ka thënë Messi. Ndërkaq, duke folur për çmimin e fituar, ai edhe një herë ka ritheksuar se për të më të rëndësishëm janë trofetë e skuadrës.
“Më vjen mirë që e fitova këtë çmim por nuk ka qenë asnjëherë objektivi ynë. Aktualisht duhet të mendoj vetëm për të punuar sa më shumë, pasi dua të luaj i qetë dhe të mos ndiej më vështirësi. Gjithsesi, këtë trofe ia dedikoj familjes time dhe personave që më kanë qëndruar pranë në momentet më të vështira. Dua të falënderoj edhe gjithë shokët e skuadrës pa ndihmën e të cilëve nuk do ta kisha marrë këtë trofe”, ka shtuar Messi.
Në fund argjentinasi dha edhe një koment për Barcelonën e Gerardo Martinos. “Është folur gjatë se kjo skuadër ka ndryshuar stilin e të luajturit por unë nuk mendoj kështu. Jemi një skuadër në rritje dhe tashmë kemi më shumë variacion dhe zgjidhje për të mundur kundërshtarët”, ka përfunduar argjentinasi.