Wednesday, January 22, 2014

Edhe 2 muaj paraburgim për “Grupin e Drenicës”

Grupit të Drenicës i vazhdohet edhe për 2 muaj paraburgimi. Lajmin e ka konfirmuar për Kosovapress, Tomë Gashi, avokat mbrojtës i Sylejman Selimit.
 “Gjyqtari i EULEX-it,në cilësinë e Kryetarit të Trupit Gjykues në rastin e ushtarakëve të UÇK-së që njihen si “Grupi i Drenicës” nuk e ka pritur fare skadimin e paraburgimit që do të ndodhte nesër më 23 janar, por me vendim të ri, sot u’a ka vazhduar paraburgimin edhe për 2 muaj, deri më 23 mars 2014 z. Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, Sahit Jasharit, Avni Zabelit, Hysni Thaqit, Jahir Demakut dhe Zeqir Demakut”, ka thënë Gashi.

Nesër skadon afati i paraburgimit për ”Grupin e Drenicës”

Nesër skadon afati i paraburgimit për ish komandantin e UÇK-së Sylejman Selimi, ish komandantin e Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtakun dhe 5 ish pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së të dyshuar për krime lufte. Avokati i Selimit, Tomë Gashi ka thënë se mbrojtja ka kërkuar ndërprerjen e paraburgimit. Një trup gjykues i EULEX-it do të vendos për herë të katërt nëse do të aprovoj apo jo kërkesat e mbrojtjes.

Mbrojtja e të 7 nga 15 të akuzuarve në të ashtuquajturin Grup I Drenicës konsideron mbajtja në paraburgim e ish pjesëtarëve të UÇK-së të dyshuar për krime lufte është e pakuptimtë. Për këtë arsye njëri nga ata, avokati i ambasadorit Sylejman Selimi, Tomë Gashi kërkon ndërprerjen e paraburgimit.

“Ky paraburgim është duke u shfrytëzuar si dënim ndaj tyre jo si masë e rregullt ligjore”, ka thënë Gashi

Në fillim të nëntorit një prokuror i EULEX-it kishte ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj ish krerëve më të lartë të UÇK-së kryesisht nga Zona Operative e Drenicës. Në këtë përballje me drejtësisë përveç Selimit e Lushtakut do të jenë edhe 13 ish pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

“Mbrojtjae 15 të akuzuarve ka kërkuar hedhjen e aktakuzës me 6 janar. Ne presim që trupi gjykues të vendos rreth kërkesës për hedhjen e kësaj aktakuzë”, ka thënë Gashi

Shumica e të akuzuarve dyshohen për vepra penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje, që supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të UÇK-së në Likoc në vitin 1998. Kjo është aktakuza e 25 –të me radhë për krime lufte e ngritur në Kosovë që nga viti 2000.