Monday, January 20, 2014

Në vitin 2013, në burgjet shqiptare u futën ilegalisht 1116 celularë

Tirane - Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto ka pranuar sot se gjatë vitit 2013, në institucionet e vuajtjes së dënimit janë futur plot 1116 celularë. Ky fakt u bë me dije gjatë analizës së punës 1-vjecare të drejtorisë së Burgjeve.
“Problem shumë shqetësues që ndikon drejtpërdrejt në parametrat e sigurisë, mbetet
gjendja e sendeve të ndaluara në posedim nga të dënuarit, e cila është kthyer në
një nga pikat më të dobëta të menaxhimit të sistemit të burgjeve. Për këtë qëllim
janë realizuar: 4190 kontrolle për sende të ndaluara, 2616 kontrolle për kryerjen e
shërbimit, 2957 kontrolle për elemente sigurie, 594 kontrolle për MNZSH-në. Në
total, janë bllokuar 1116 aparate celularë, kundrejt 854 gjatë 2012. Vetëm gjatë tre
muajve të fundit kemi bllokuar gati gjysmën e shifrës të përmendur më lart”, tha drejtori i burgjeve.
Ai theksoi se futja e sendeve të ndaluara dhe në vecanti e telefonave celularë mundësohet edhe nëpërmjet veprimeve korruptive nga punonjësit me uniforme. Vetëm për tremujorin
e fundit të vitit 2013 kemi konstatuar 12 raste veprimesh abuzive, për të cilët është
marrë masa disiplinore e largimit nga policia dhe në një rast në Korçë punonjësi
i policisë së burgjeve është arrestuar në flagrancë duke u përpjekur të fuste një telefon celular në regjimin e brendshëm.