Tuesday, January 28, 2014

Prishtinë, policia arreston 25 studentë, protestuan tek Rektorati

Zyrtarja për informim e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florije Ahmeti, konfirmoi arrestimin e 25 personave, gjegjësisht studentëve që protestuan para Rektoratit të UP-së.
Arrestimi i tyre është bërë gjatë ndërhyrjes për zhbllokimin e Rektoratit të UP-së, njofton Telegrafi.

Ndërhyn policia për zhbllokimin e Rektoratit
Policia e Kosovës ka ndërhyrë për t’i larguar studentët të cilat kanë bllokuar hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Policia ka arrestuar disa nga protestuesit e UP-së të cilët kishin bllokuar hyrjet e Rektoratit qysh në mëngjes.

Studentet janë larguar me forcë nga vendi, pas urdhrit të policisë që ata duhet të lirojnë menjëherë hyrjen e ndërtesës. Studentët e arrestuar janë dërguar menjëherë në stacion të policisë.

Kurse, disa studentët po vazhdojnë të protestojnë jashtë rrethojave të ndërtesës së Rektoratit.

Policia u kërkon studentëve zhbllokimin e Rektoratit

Studentë vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, të vendosur aty që para orës tetë. Ata po kërkojnë dorëheqjen e rektorit, Ibrahim Gashi. Studentët thonë se janë të vendosur me kërkesat e tyre që rektori Gashi të dorëhiqet, të nisë një hetim për stafin akademik të UP-së pas skandalit të fundit, si dhe politika të mos ndërhyjë në punën e universitetit nëpërmjet këshillit drejtues të UP-së.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në hyrje të Rektoratit dhe kanë kërkuar nga studentët që të zhbllokojnë rrugën. Policia ka thënë se studentët nuk e kanë paralajmëruar protestën. Rektori Ibrahim Gashi nuk ka mundur të shkojë në vendin e tij të punës.

Studentët bllokojnë punën e Rektoratit, kërkojnë dorëheqjen e rektorit

Të pakënaqur me gjendjen e mjerueshme në Universitetin e Prishtinës dhe të vendosur për ta ndryshuar atë, jemi mbledhur sot për ta shpërfaqur realitetin e prishtë, se Universitetin e Prishtinës pushteti e ka shndërruar në ‘Universitet të Prisht’. Aksioni është organizuar nga Lëvizja Studentore për Barazi: Studim Kritikë Veprim, Klubi Politik i Studentëve, Grupi i Studentëve të Ulqinit në Prishtinë dhe shumë studente e studentë tjerë.

14 vjet nga çlirimi i Kosovës, Universiteti i Prishtinës as nuk u çlirua e as nuk ishte në shërbim të studentëve. Për më tepër, u kap nga dora e keqe e partitve në pushtet duke u shfrytëzuar për qëllime përsonale e klanore, sikur të ishte pronë private e tyre, e shpurës së tyre.

“Sot, po reagojmë bashkërisht e shoqërisht kundër ngjarjeve të fundit në UP. Ngjarje që vetëm shpërfaqën mediatikisht atë që dihej moti dhe atë që ne, studentët, e kishim provuar moti kohë në lëkurën tonë: joprofesionalizmin, korrupsionin dhe krimin brenda UP-së.

Kërkesat tona janë:

1. Dorëheqja e mënjëhershme e Rektorit, Ibrahim Gashi;
2. Fillimi i mënjëhershëm i hetimeve rreth keqpërdorimeve në Universitetin e Prishtinës, dhe ngritja e një mekanizmi për verifikimin e të gjitha titujve akademikë;
3. Largimi i ndikimit të pushtetit në Universitetin e Prishtinës, nepërmjet heqjës së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës;


Meqë dorëheqja është akt moral, e këtë nuk e ka bërë e as nuk e ka ndërmend ta bëjë Rektori i pamoralshëm, ne luftojmë për këtë nepërmjet aktivitetit të drejtpërdrejtë në terren, si formë përfillëse e serioze.

Universiteti i Prishtinës jorastësisht është ku është, i pari në rajon për nga niveli i degradimit, e i fundit për nga prodhimi i kuadrove e dijes. Jo rastësisht edhe duhet të fillojë hetimi i ish-rektorëve e shpurës së tyre nëpërmjet një mekanizmi verifikues të krijuar nga Senati, si dhe jo rastësisht duhet të verifikohen titujt akademikë. Asnjë nga këto veprime nuk i konsiderojmë të rastësishme. Mashtrimet e abuzimet në këtë institucion ishin të mirë menduara, prandaj i domosdoshëm është krijimi i këtij mekanizmi.

Që nga paslufta, ky institucion vazhdimisht ishte dirigjuar nga partitë në pushtet, nepërmjet zgjedhjës së Këshillit Drejtues nga qeveria, e ky këshill më pas zgjedh Rektorin. Duhet të këputët ky zinxhir i ndikimit të çdo pushteti, sepse për aq sa Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës zgjedhet nga qeveria, edhe rektoret e drejtuesit do të jenë marioneta të tyre. Ne do ta këpusim këtë zinxhir.

Ne, studentët e Universitetit të Prishtinës, si qenie politike në kuptimin e angazhimit për shoqërinë në përgjithësi e studentët në veçanti, jemi zgjuar nga kotësia e përgjumja, dhe si të politizuar, jemi duke i prirë sulmit ndaj korrupsionit e krimit në Universitetin e Prishtinës. Ne sot, jemi ”bijtë e shekullit të ri”, të rinjtë migjenian, që ”plakun e len në shejtninë” e tij. Nuk jemi shifër statistikore, as indiferentë. Nuk jemi një nga shumë të kokëulurit, por shumë nga të kryengriturit.

Ne, studentet nuk presim sepse nuk shpresojmë tek ju qe na ngulfatet. Drejtësia nuk mund të vijë nga ata që shkaktuan padrejtësi. Ne shpresojmë tek veprimi ynë kolektiv. Si të përjashtuar e të pallogaritur, do të përjashtojmë Rektorin e do t’i prishim të gjitha llogaritë e bëra pa ne”, thuhet në kumtesë.