Wednesday, January 22, 2014

Serveri i tatimeve, prokuroria: Nuk i kemi pamjet e transmetuara në TV

Prokuroria e Përgjithshme reagoi sot në lidhje me pamjet e publikuara në tv “News24” në lidhje me zhdukjen e 4.3 milionë deklaratave tatimore nga sistemi i drejtorisë së tatimeve. Prokuroria tha se pamjete  publikuara nuk ndodhen në dosje dhe për këtë arësye do të kërkojë sekuestrimin e tyre.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon hetimet në kuadër të procedimit penal për akuzën e “Ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike”, parashikuar në nenin 293/b të Kodit Penal, pas kallëzimit të dorëzuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Në bazë të materialit që i është referuar prokurorisë, institucioni kallëzues ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj një ish-punonjësi të saj, për të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dyshon se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në sistemin e saj elektronik.

Në kuadër të hetimeve për këtë procedim, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen verifikimet e nevojshme, si edhe ka urdhëruar kryerjen e ekspertizës teknike, e cila ende është duke u zhvilluar pranë Policisë Shkencore.

Në të njëjtën kohë, organi i Prokurorisë ka ndjekur pamjet filmike në televizionin “Neës 24”, të publikuara ditën e Mërkurë, dt. 22.01.2014, në të cilat paraqiten disa persona, anëtarë të grupit që po zhvillonin procedure e auditit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe persona të tjerë.

Ky material filmik, i cili nuk gjendet në dosjen hetimore, do t’i kërkohet zyrtarisht televizionit “Neës 24” që të vihet në dispozicion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ky vendim i prokurorisë së kryeqytetit është marrë pasi vlerësohet se materiali filmik mund t’i shërbejë hetimit. Ndër të tjera, nga kjo video do të punohet për të sqaruar rolin e secilit prej personave të shfaqur në të, në kuadër të procedimit penal të nisur tashmë për “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.