Tuesday, January 28, 2014

Tahiri: SHISH inaktiv, nuk sjell prova për atentatet me bomba me celular

Tirane - Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka akuzuar sot shërbimin Informativ shtetëror se është inaktiv në hetimin e atentateve me bomba me celular.
Deklarata është bërë sot në Komisionin Kuvendor të Sigurisë Kombëtare ku ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri kreu një seancë dëgjimore pas një kërkesë të anëtarëve të djathtë të këtij komisioni. Nga çështja e vrasjes nga policia greke të dy vëllezërve nga Devolli, çështja kaloi tek shpërthimet me tritol.
Në Komisionin e Sigurisë, u hap dhe tema e shpërthimeve me tritol. Sipas Tahirit, këto ngjarje janë të karakterit terrorist, ndërsa akuzoi kreun e SHISH për inaktivitet.
“Është hapur një fole kriminaliteti që nuk ishte e hapur. Tritoli ka një rritje të pajustifikueshme në asnjë rrethanë. Janë akte terroriste që do të hetohen nga policia e prokuroria. Maksimumin që këto ngjarje të ndërpriten. Dje kam zhvilluar një takim me shefin e SHISH. i kam komunikuar inaktivitet dhe mosmarrje të informacionit nga ana e SHISH”.
Tahiri theksoi se mosmarrja e informacionit të kërkuar cënon sigurinë kombëtare.
Vellezërit Çollaku
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri raportoi sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në lidhje me vrasjen e vëllezërve Çollaku nga pala greke.
“Policia kufitare u njoftua mbi ngjarjen në orën 00:30 minuta. Policia greke kishte tërhequr trupat pas ekspertimit. Kjo çështje mbi vrasjen e 2 vëllezërve është jashtë juridiksionit të Shqipërisë, por ne presim që çështja të zbardhet”, u shpreh Tahiri në Komision të Sigurisë.
Ministri shtoi më tej se “dy vëllezërit Çollaku qëlluan me armë ndaj policisë greke dhe ata iu kundërpërgjigjën. Ne nuk mund ta kqyrim vendin e ngjarjes, sepse është jashtë juridiksionit tonë. Ministria e Brendshme nuk bën ekspertizë mjeko-ligjore pasi kjo është kompetencë e organeve të tjera. Garantoj, që shteti shqiptar ka ushtruar të gjitha kompetencat për ngjarjen në kufi me Greqinë”.
Ndërsa u shprehu ngushëllime familjes Çollaku, Tahiri kërkoi nga politika të mos abuzojë me këtë ngjarje të rëndë.
I menjëhershëm ka qënë reagimi i deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka, i cili ka theksuar se duhet të zbardhet e vërteta për vrasjen e dy vëllezërve Çollaku.
“Ngjarja ka një terr informativ. Duam të vërtetën e ngjarjes në kufirin me Greqinë ku u vranë dy vëllezërit Çollaku. Policia jonë dha të njëjtin version të ngjarjes në kufi, si policia greke”, tha ai.
Por ministri Tahiri ka përgënjeshtruar deputetin Noka duke theksuar se policia shqiptare ka dhënë versionin e saj zyrtar për ngjarjen.
“Policia jonë në asnjë rrethanë nuk e ka përsëritur deklaratën e policisë greke”.