Monday, January 20, 2014

Tritoli në makinë, Patozi: Akt terrorist ndaj kryetarit të komunës Qendër

Deputetët e PD, vizituan sot në spital kreun e komunës Qendër të Vlorës, Fredo Berberi, i cili është jashtë rrezikut për jetën pas sulmit me bombë në makinën e tij.
Deputeti demokrat i qarkut të Vlorës, Astrit Patozi, i cili vizitoi nga afër kryekomunarin në Spitalin Ushtarak të Tiranës, sëbashku me një grup deputetësh të PD tha se “lajmi i mirë është se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën, është nën kontrollin e mjekëve. i urojmë shërim të shpejtë Fredo Berberit”.
Patozi dënoi ashpër aktin terrorist të përfaqësuesit vendor të PD, ndërsa ka kërkuar zbardhjen e menjëhershme të autorëve që fshihen pas aktit kriminal.
“Dënojmë me ashpërsi këtë ngjarje të rëndë, akt terrorist që ndodh në mes të ditës dhe qytetit me të cilin mburret se ka sot kryeministrin përfaqësues. Qeveria dhe krimi i organizuar janë në garë se kush e përdorë më mirë tritolin. Shqipëria sot është në epokën e tritolit. Po ta pyesësh kryeministrin sot për rendin në Shqipëri, ta bën me kokë nga ministri Tahiri dhe ky i fundit është bërë shoë meni më i famshëm i televizioneve shqiptare, ndërkohë që krimi është duke bërë kërdinë”, tha deputeti i PD-së, Astrit Patozi.
Ne spitalin e traumes, Berberi  është vizituar edhe nga deputetët e PS-së, Valentina Leskaj dhe Fatmir Toçi, prefekti i Vlorës Besnik Dervishi dhe deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri.
Kryetari i Komunës Qendër ne Vlore, Fredo Berberi, mbeti i plagosur nga shpërthimi i një sasie eksplozivi në automjetin e tij mesditen e sotme, ndersa po leviste ne bulevardin qendror te Vlorës.