Saturday, October 24, 2009

Tiranë, ish-zv.ministri i arrestuar nga "Duart e Pastra", zgjidhet kryetar i Dhomës së Tregtisë

Ish.zv-ministri i Transporteve Nikolin Jaka, perfaqesues i PDK, i arrestuar dhe i dënuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre në vitin 2007, zgjidhet kryetar i Dhomës së Tregtisë në Tiranë.
Zgjedhja e Nikolin Jakës në detyrën e drejtuesit të Dhomës së tregtisë është bërë sot pas dorëheqjes së drejtorit të deritanishëm Gjok Uldedaj.
Sipas burimeve zyrtare mësohet se krahas Nikolin Jakës, në garë për kreun e Dhomës së Tregtisë, ishin edhe dy kandidatë të tjerë, Edmond Rusmajli dhe Sami Çela.
Kreu i ri i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka u arrestua bashkë me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve Ilirian Berzani në shtator të vitit 2007.
Ata u akuzuan për mitmarrje dhe korrupsion në tenderin për caktimin e firmës fituese për ndërtimin e rrugës Has-Qafë Prushi, pjesë e segmentit Durrës-Kukës.
Në maj të vitit 2008, gjykata e dënoi Nikolin Jakën me një vit e dhjetë ditë burg për akuzat e ngritura ndaj tij.
Pasi përfundoi dënimin, ai u la i lirë dhe për disa kohë vazhdoi aktivitetin privat derisa sot është zgjedhur kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë. (Lajmifundit)
DEKLARATA E POLICISE date 18.09.2007
Ditën e djeshme më datë 17.09.2007 ora 10.30 nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departatmentin e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër Pastrimit Parave dhe Krimeve Ekonomiko Financiare në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë u finalizua operacioni “DUAR TE PASTRA” për kapjen dhe ndalimin e shtetasve:
1. Nikolin Jaka, i datlindjes 17.05.1972 lindur në Mirditë dhe banues në Tirane, me funksion zv/ministër i Punëve Publike Transporteve dhe Telekomunikacionit.
2.Bashkim Kamberi, i datlindjes 03.12.1967, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me funksion shefi i Sektorit Juridik dhe Prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve.
3.Alban Qafa, i datlindjes 25.02.1977, lindur në Elbasan dhe banues në Elbasan, me funksion specialist në Sektorin Juridik të Prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve.
4.Arjan Sheti, i datlindjes 31.07.1963, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë, me funksion Drejtor i Drejtorisë Juridike në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve.
5.Enton Resuli, i datlindjes 08.01.1973, lindur në Tiranë dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë.
6.Ilirjan Berzani, i datlindjes 16.12.1966, lindur e banues në Durrës, me arsim të lartë, me funksion Drejtor i Drejtorisë së Përgjithsme të Rrugëve.
7.Xhevahir Mucogllava, i datlindjes 04.09.1949, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me funksion Drejtor i Drejtorisë së Programimit dhe Kordinimit si dhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të ofertave në Drejtorinë e Përgjithshme të rrugëve.
Për shtetasit e mësipërm u bë ekzekutimi i masave të sigurimit “arrest me burg” të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 17.09.2007, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”parashikuar nga neni 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Gjithashtu në lidhje me këtë cështje u ekzekutua masa e sigurisë arrest me burg për veprën penale të “korrupsionit aktiv të personit që ushtron funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal për shtetasin:
8. Skender Bokciu, i datlindjes 10.06.1967, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, me funksion ortak i shoqërisë ARIFAJ SH.P.K.
9. Isuf Ukperaj, i datlindjes 09.06.1959, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, me funksion ortak i shoqerisë Vllazëria Sh.p.k.
Nga tërësia e veprimeve proceduriale të kryera gjatë hetimit të kësaj çështje gjatë një periudhe dy mujore, janë grumbulluar prova dhe fakte të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat e sipërshënuara të ngritura në adresë të këtyre zyrtarëve të lartë të MPPTT dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të cilët rezultojnë të jenë përfshirë në veprimtari korruptive me vlera të konsiderueshme, kundrejt favorizimit të paligjshëm të shoqërive pjesëmarrëse në prokurimet publike të kryera në këtë institucion.
Për hetimin e plotë dhe të gjithanshme të kësaj çështje janë aplikuar me sukses metoda speciale bashkëkohore të hetimit.
Në emër të Ministrisë së Brendshme dhe strukturave të Policisë së Shtetit, gjej rastin të shpreh mirënjohjen dhe falenderimin e veçantë për qytetarët të cilët me denoncimet, bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë bënë të mundur realizimin me sukses të këtij operacioni.
Materialet hetimore për këta të ndaluar i kaluan Prokuorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të metejshme.

No comments:

Post a Comment