Policia e Kukësit ka ngritur akuzën e shkeljes së rregullave të sigurimit teknik për manovratorin e vinçit në tunelin e Kalimashit pas ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë kur një punonjës turk gjeti vdekjen.
Sipas burimeve zyrtare nga policia e Kukësit mësohet se mënjeherë pas ngjarjes, specialistët e hetimit të krimeve shkuan në vendin e ngjarjes dhe kryen veprimet proceduriale.
“Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, ka rezultuar se vdekja e shtetasit Kasem Dynder, 40 vjeç, lindur e banues në Turqi, me qëndrim të përkoshëm në Shqipëri, ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së drejtuesit të vinçit”, tha policia.
Sipas saj, pas hetimeve në vendin e ngjarjes ndaj personit të dyshuar është ngritur akuza e shkeljes së rregullave të sigurimit teknik në punë me pasojë vdekjen.
Për këtë akuzë, punonjësi në fjalë po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.
Dy ditë më parë në orët e mbrëmjes, punëtori turk humbi jetën në Kalimash si pasojë e goditjes në kokë nga vinçi gjatë manovrimeve brenda tunelit.
Pas kryerjes së autopsisë, shtetasi turk është kthyer në atdhe pranë familjes për ceremoninë mortore. (Lajmifundit.com)