Friday, January 15, 2010

Përmbytjet, Kuvendi “ok” kërkesës së PS, seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë seancë të jashtëzakonshme me objekt përmbytjet në Shkodër, të hënën e javës së ardhshme në ora 17:00.
Lajmi është bërë me dije nga burime zyrtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Burime të njëjta nuk bëjnë me dije detaje të tjera por thanë se seanca e jashtëzakonshme do të ketë për objekt situatën e krijuar nga përmbytjet në Shkodër gjatë dy javëve të fundit.
Një vendim i tillë i konfirmuar sot në rrugë zyrtare duket se përbën plotësimin e kërkesës së artikuluar sot në një konferencë shtypi nga deputetja e Partisë Socialiste Eglantina Gjermeni.
Në përgjigje të letrës së kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, drejtuar 64 deputetëve të opozitës për të hyrë në Kuvend, Gjermeni tha se deputetët e PS do të thyejnë bojkotin vetëm në rast se Kuvendi vendos të zhvillojë seancë me objekt përmbytjet në Shkodër.
Partia Socialiste kërkoi që në këtë seancë opizita të ketë të gjitha hapësirat ligjore për të “hetuar” shkaqet e ngjarjes. (Lajmifundit.com)