Wednesday, February 3, 2010

Komandot shqiptare në Afganistan, nisen 110 trupa të kontigjentit II

TIRANE – Niset për në Afganistan, kontigjenti i dytë i trupave Komando të ushtrisë shqiptare.
Në një ceremoni të zhvilluar sot në Regjimentin Komando ku merrnin pjesë zyrtare të ushtrisë, ministrisë së Mbrojtjes dhe familjarë të trupave ushtarake, është përcjellë sot për në Herat të Afganistanit, grupi prej 110 trupash të forcave të ushtrisë shqiptare.
Komandanti i Regjimentit Komando, kolonel Dritan Demiraj përshëndeti trupat që nisen me shërbim në Agfanistan duke u uruar atyre sukses në misionin ushtarak.
Zv.ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, vlerësoi faktin se Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes, ua besuan trupave “Komando” përmbushjen e këtij misioni të 2-të në Herat.
Zv.ministri tha se ushtarakët që do të shkojnë në këtë mision, jo vetëm që do ta kryejnë me sukses të plotë detyrën, por do të jenë edhe shëmbull i mirë për forcat e tjera paqeruajtëse, duke demonstruar në çdo situatë, kompaktësi, disiplinë të fortë, aftësi të larta teknike e taktiko-speciale, guxim, maturi e moral të admirushëm, ashtu si janë në të vërtet Komandot Shqiptare.
Me këtë rast, zv.ministri Spahiu falenderoi Qeverinë e Italisë dhe FA Italiane për mbështetjen e çmuar që i kanë dhënë ushtrisë shqiptare në të gjitha misionet, për besimin që kanë treguar në përfshirjen e trupave tona komando në këtë mision të vështirë. Në fund të fjalës së tij z. Spahiu përshëndeti dhe falenderoi edhe familjarët dhe të afërmit e trupave paqeruajtëse që nisen në Afganistan për përkrahjen që u kanë dhënë djemëve të tyre, si dhe i uroi atyre udhë të mbarë dhe suksese në kryerjen me nder të këtij misioni fisnik.
Kontigjentin e 2-të Paqeruajtës dhe të gjithë të pranishmit në ceremoni i përshëndeti edhe atasheu ushtarak italian në Tiranë, kolonel Luigi Maraçi.
Kontigjenti i 2-të Paqeruajtës përbëhet nga 110 trupa, nga të cilët 12 oficerë, 44 nënoficerë dhe 54 ushtarë profesionist. Gjatë qëndrimit në Herat të Afganistanit trupat e këtij kontigjenti do të kryejnë detyra speciale që lidhen me ruajtjen dhe sigurimin i Bazës Ushtarake përmes shërbimit në vendroje dhe patrullimit me automjete; shërbimin pranë Komandës së Forcës; ruajtjen e depove të armatimit; sigurimin e bazës logjistike, si dhe sigurimin dhe shoqërimin e personelit. Ai do të vazhdojë të përmbush këtë mision sikundër edhe kontingjenti paraardhës, në kuadër të misionit ISAF të NATO-s, nën drejtimin e komandës italiane.
Ministria e Mbrojtjes, bën me dije se trupat e Kontigjentit të 2-të janë pjesë e trupave të Regjimentit Komando, njësi e cila ka dhënë një kontribut të çmuar përkrah vendeve aleate në misionet paqeruajtëse si në Bosnje-Hercegovinë, Irak, Afganistan dhe në Çad. Deri më sot, Regjimenti Komando ka kontribuar me 2021 trupa në misionet paqeruajtëse.
Në fund të ceremonisë, komandantit të kontigjentit Naim Dani i është dorëzuar Flamuri Kombëtar që do të mbahet gjatë kryerjes së misionit në Afganistan.
Ndërkohë, Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Arben Imami mësohet se është nisur për të marrë pjesë në takimin informal të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, i cili mbahet në Stamboll, Turqi, më datë 4 dhe 5 shkurt.
“Gjatë këtij ministeriali do të diskutohen çështje shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me angazhimet e NATO-s.
Pas takimit, Ministri i Mbrojtjes do të udhëtojë për në Mynih, Gjermani, ku më datë 6 dhe 7 shkurt do të zhvillohet Konferenca e Sigurisë, me pjesëmarrjen e personaliteteve të politikës europiane dhe më gjerë”, ka thënë zyra e shtypit e Ministrisë. (lajmifundit.com)