Thursday, July 15, 2010

PD-PS debat për masakrën e Tivarit, opozita braktis sallën e Kuvendit

TIRANE – Lajmifundit – Partia Socialiste braktisi përsëri sot punimet e Kuvendit të Shqipërisë pas diskutimit të lirë në seancën plenare të radhës.
Para largimit të opozitës nga salla e Kuvendit, mes krerëve të grupeve parlamentare ka pasur një debat në lidhje me iniciativën e Partisë Demokratike për krijimin e Komisionit Hetimor për Masakrën e Tivarit.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi, i bëri thirrje maxhorancës të mos marrë vendime të tilla të pamatura.
Sipas Ruçit ngjarja nuk ka ndodhur në territorin e Shqipërisë dhe PD nuk duhet ta shfrytëzojë atë për qëllime politike.
Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi. Ai tha se reagimi i opozitës është zhgënjyes pasi pritej që PS të mbështeste iniciativën për të hetuar dhe nxjerrë përgjegjësitë e liderëve politikë të kohës në raport me masakrën e Tivarit.