Thursday, April 25, 2013

Llalla: 21 janari ishte vrasje me dashje, po hetojmë pallatin e Linda Ramës

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla i cili ndodhet këto ditë në Shtetet e Bashkuara për një vizitë pune, gjatë së cilës është takuar me zyrtarë të lartë të amerikanë të rendit e të ligjit.

Llalla ishte i ftuar për një bisedë në studion e "Ditarit", ku komentoi rastin e Gjykatës së Lartë, 21 Janarin, Gërdecin, madje dhe për pallatin e Linda Ramës, bashkëshortja e Edi Ramës.

“Presim vendimin e apelit për çështjen e 21 Janarit. Kam kërkuar hetim për disa mjekë ligjorë që dyshohet se kanë abuzuar me provat. Unë kam kërkuar që në fillim hetim për ekspertin ligjor, Cardaku. Për 21 janarin akuzat janë të referuara edhe në Gjykatën e Shkallës Parë”, tha Llalla.

Për çështjen e Gërdecit, kryeprokurori komentoi: “Gërdeci, nuk kemi hetime të reja, i qëndrojmë ankimit tonë. Presim vendimin e Apelit”.

Kryeprokurori mohoi se nuk ka hetime për ministrin Fatmir Mediu.  “Për Mediun nuk janë paraqitur të dhëna të reja. Nuk ka hetime për të”, tha Llalla.

Kryeprokurori madje theksoi se nga ana e organit të akuzës kanë nisur hetimet dhe për objektin që po ndërtojnë familjarë të Linda Ramës, bashkëshorte e kreut të opozitës z Edi Rama. “Kemi nisur hetimet për pallatin e Linda Bashës, Bashkia e referoi rastin në Prokurori”, tha Llalla.