Monday, January 20, 2014

Tahiri: Berisha na la polici militantësh, komunikatat e ngjajrjeve, të hapura për publikun

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri argumentoi gjendjen në të cilën ndodhej Policia e Shtetit nën drejtimin e mëparshëm dhe ndryshimet në këto 120 ditë, që siç tha ai, i kanë ngritur kokën Policisë dhe e kanë vendosur atë në krye të detyrës.
Deklaratat e Tahirit u bene ne analizen vjetore te punes se policise se shtetit per vitin 2013. “Policia e shtetit drejtohej nga militantë. Burimet njerëzore të janë shumë më keq se sa standardi që kërkohet. Të rinjtë dhe të rejat janë shumë pak, arsimimi është i mangët, shumica me shkollë të mesme, një minorancë me shkollë të lartë. Punonjësit ishin të shfrytëzuar dhe të nënpaguar. Jemi të angazhuar për ta ndryshuar këtë situatë pavarësisht vështirësive të panumërta
Sot unë besoj se policia e shtetit e ka ngritur kokën dhe është në krye të detyrës.”- u shpreh Tahiri.

Ai hodhi poshtë akuzat e opozitës për fshehje të ngjarjeve kriminale, duke theksuar se në drejtim të transparencës ndaj publikut janë marrë edhe disa masa konkrete, që sipas tij, do të zgjidhin përfundimisht këtë çështje.

“Na akuzojnë ata që deri dje mbase e kanë bërë këtë dhe mendojnë se e bëjmë ne. Si mund të fshihet një vrasje, kush ma gjen formulën. Kemi firmosur urdhrin dhe komunikata që deri dje ka qenë e klasifikuar, nga sot do deklasifikohet dhe do t’i shpërndahet publikut. Duke përjashtuar të dhënat personale dhe të dhëna që kanë të bëjnë me specifika të hetimit.
Cdo qytetar për çdo ankesë për çdo kallëzim, do të pajiset me numrin unik të çështjes do shërbejë si identiteti i ankesës apo kallëzimit.”- u shpreh ministri.

Ministri Tahiri theksoi vendosmërinë që “Policia e Shtetit të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të shembë murin e pandëshkueshmërisë, të luftojë krimin dhe korrupsionin dhe për të çuar para ligjit të korruptuarit”.