Banka Botërore e vlerësoi efiçent menaxhimin nga ana e qeverisë të situatës së emergjencës civile në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës ndërsa tha se javën e ardhshme do të sjellë një grup ekspertësh për vlerësimin e dëmeve.
Vlerësimi është bërë nga Zv.presidenti i Bankës Botërore Philippe Le Houreou, pas një inspektimi në terren i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, në zonat e pëmbytura në Shkodër nga derdhja e Vaut të Dejës deri në derdhjen e Bunës.
“Mora informacionin për situatën dhe mbështetja ime shkon së pari për njerëzit dhe bashkohem me banorët e prekur nga përmbytja . Gjithashtu u informova për situatën e emergjencës. Isha shumë i gëzuar se nuk pati asnjë jetë të humbur.Kjo flet për një menaxhim efiçent të situatës. Unë kam qenë në disa situata emergjente dhe është shumë e vështirë që në një hark të shkurtër kohor të koordinosh, të reagosh ndaj informacioneve. Të koordinosh është një detyrë shumë e vështirë. Dhe qeveria po koordinon në mënyrë shumë eficente,- u shpreh Le Houreou.
Ai shtoi se ndërhyrja e Bankës Botërore fillimisht do të konsistojë në asistencën e një grupi ekspertësh për të vlerësuar dëmet e sektorit privat, qytetarëve , por edhe të aseteve publike.
“-Pas vlerësimit të kostos do të fillojmë punën për të rigjenuar dhe për të filluar përsëri aktivitetin rajonal ekonomik”,-deklaroi zv.presidenti i BB, Le Houreou.
Ai bëri të ditur se Banka Botërore mund të ndërhyjë me projekte për riparimin e infrastrukturës dhe përforcimin e saj që fatkeqësi të tilla të mos përsëriten më.
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha falënderoi Zv. Presidentin e Bankës Botërore për ofertën e ndihmës që paraqiti në Shkodër për të dërguar një skuadër me ekspertë të Bankës Botërore për vlerësimin e dëmit, duke filluar nga java që vjen, si dhe gatishmërinë për ndërhyrë me financimet e Bankës Botërore në projektet e rehabilitimit total të kësaj zone për ta shndërruar këtë sfidë një mundësi për të përmirësuar edhe më tej të gjithë parametrat e jetës dhe punës në zonën e përmbytur.
Pas vëzhgimit në terren Zv.presidenti i Bankës Botërore Le Houreou zhvilloi një takim në Prefekturën e Shkodrës me Komitetin Ndërministror të Emeregjencave Civile që po drejton operacionet në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet. (Lajmifundit.com)