Ambasadori i Spanjës dhe ai i BE-së në Tiranë konfirmuan sot në një takim me kryeministrin Berisha mbështetjen e plotë të përpjkekjeve të Shqipërisë për integrimin gjatë presidencës spanjolle të radhës në BE.
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë Helmuth Lohan dhe kryediplomati i Spanjës, Emanuel Monbobio, zhvilluan një takim me kryeministrin Berisha në selinë e Qeverisë në Tiranë.
Ata informuan në lidhje me prioritetet e presidencës spanjolle të BE-së ndërsa konfirmuan mbështetjen e plotë gjatë këtij mandati për aspiratat integruese të Shqipërisë.
Zyrtarët e huaj informuan kryeministrin Berisha se prioriteti i presidencës spanjolle është Traktati i Lisbonës dhe zbatimi i tij në të gjithë strukturën politike të Bashkimit Europian.
Berisha e konsideroi moment të veçantë presidencën spanjolle pikërisht në lidhje me zbatimin e Traktatit të Lisbonës.
Dy diplomatët shprehën mbështetje për përpjekjet e Shqipërisë në drejtim të anëtarësimit në BE dhe inkurajuan fazën aktuale të plotësimit të pyetësorit të dërguar nga Komisioni Europian. (Lajmifundit.com)