Friday, January 15, 2010

Shkodër, uji “liron” edhe 1 mijë hektarë tokë të përmbytur

Ministria e Brendshme në Tiranë informoi sot se gjatë gjithë ditës, falë edhe përmirësimit të kushteve të motit, ka vijuar tërheqja e ujërave nga sipërfaqja e tokës së përmbytur në zonën e Shkodrës.
“Konkretisht, sot sipërfaqja e tokës së përmbytur, sipas raportimeve të kryetarëve të komunave dhe Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë është 8340 ha, nga 9340 ha që ishte ditën e djeshme dhe 11 400 ha që ishte dy ditë më pare”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Sipas saj, strukturat e Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit dhe të insitucioneve të tjera të angazhuara për përballimin e emergjencës civile në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës kanë punuar gjatë ditës së sotme për realizimin e detyrave të përcaktuara nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile.
“Janë kryer dhe vijojnë ende operacionet e shpërndarjes së ndihmave ushqimore, të ushqimit për bagëtinë si dhe për përforcimin e argjinaturave përgjatë lumenjve në zonën e Shkodrës. Aktualisht në Shkodër numërohen 8340 hektarë tokë nën ujë, 5173 persona të evakuar dhe 2169 banesa të përmbytura.
Sipas të dhënave të mbrëmjes për gjendjen në tri hidrocentralet e kaskadës së Drinit, shkarkimi nga portat e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, është 0. (Lajmifundit.com)