Një parti e vogël opozitare në Shqipëri i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kopje të dokumentacionit të procesit zgjedhor
Ky hap nga partia G99 shihet si një përpjekje për të kapërcyer impasin e deritanishëm politik, ndërsa partia më e madhe e opozitës, Partia Socialiste, bojkoton parlamentin duke kërkuar një hetim të procesit zgjedhor.
Kreu i G99 Erion Velia thotë për BBC-në se në thelb kjo kërkesë mbështetet në të drejtën për informim.
"Kontrata që qytetarë shqiptarë kanë nënshkruar më 28 qershor të 2009 duhet të jetë publike," tha zoti Velia në një intervistë për BBC-në.
Sipas tij çdo document që nuk është klasifikuar si 'sekret' duhet vënë në dispozicion të qytetareve.
Në fakt kërkesa e G99 është formuluar në forma të ndryshme edhe më parë, por jo nga formacione politike.
Për analistin Lutfi Dervishin, ajo është positive, "pasi shterron një rrugë ligjore, por në kohë është e vonuar".
A mundet të jetë kjo kërkesë një mënyrë për t'i dhënë fund krizës politike që prej më shumë se gjashtë muajsh mban të mbërthyer politikën shqiptare, veçanërisht çështjes më polemizuese hapjes se kutive të votimit?
Zoti Velia i G99 thotë se mënyra e zgjedhur prej tyre mund të jetë e pranueshme.
"Nëse është termi 'hapja e kutive' që i bezdis, atëhere termi 'çfarë ka kutia brenda' është termi më i pranueshëm," thotë zoti Velia për BBC-në.
E rëndësishme, sipas tij, është vendosja e një standardi transparence që është në dobi të të gjithëve.
Nga ana e tij analisti Lutfi Dervishi nuk shpreson se kjo inicitive mund ti japi fund krizës, ndonëse do të jenë juristët që do të thonë fjalën e fundit.
Pritet që ditët e ardhshme KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën e G99-s.
Kreu i këtij komisioni Arben Ristani i tha BBC se mbetet të shihet nëse ajo është konfrom ligjit dhe nëse dokumentat që kërkohen janë objekt i ligjit për informimin e publikut.