Tuesday, February 2, 2010

Patozi: Maxhoranca gati për hetimin e zgjedhjeve, Rama po sfidon KiE

TIRANE – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi tha sot se maxhoranca është e gatshme të krijojë komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit.
Në një konferencë shtypi për median, deputeti i PD-së Patozi akuzoi Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Edi Rama se janë duke sfiduar rezolutën e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.
“Nuk mund të ketë hetim të procesit përtej Kushtetutës dhe ligjeve dhe mbi vendimet e gjykatave”, tha Patozi.
Patozi theksoi se maxhoranca është e gatshme gjithashtu për dialog politik në tryezën e Presidentit të vendit.
“Maxhoranca mbetet e hapur për bashkëpunim dhe për dialog politik me praninë e Presidentit”, tha deputeti Patozi.
Kjo është deklarata e parë e përfaqësuesve të maxhorancës, në të cilën shprehet gatishmëria për bisedime politike me praninë e Presidentit të vendit Bamir Topi.
Më parë, PD ishte deklaruar në parim pro bisedimeve dhe hetimit të zgjedhjeve brenda kornizës ligjore kushtetuese. (Lajmifundit.com)