TIRANE – Partia Socialiste ka bërë me dije sot se nuk do të pranojë tryezë bisedimesh me Partinë Demokratike për zgjidhjen e krizës në vend, nëse në tryezë nuk do të jenë përballë njëri tjetrit, Sali Berisha me Edi Ramën,
Deklarata është bërë nga deputeti i Partisë Socialiste, Et'hem Ruka.
Në emër të Partisë Socialiste, ai tha se kjo forcë politike nuk do të pranojë bisedime ne nivele të ulëta përfaqsimi.
"Partia Socialiste rikonfirmon edhe njëherë vullnetin e saj për t'u ulur në tavolinën e dialogut me PD, nën drejtimin e Presidentit të Republikës ashtu siç është sugjeruar edhe nga rezoluta e fundit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha deputeti Ruka.
Sipas tij, “kjo tavolinë duhet të ulë përballë z.Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste dhe z. Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike dhe kryeministër i vendit.
“Një tavolinë me nivele më të ulëta se drejtuesit e këtyre dy partive nuk do të ishte e pranueshme as për ne, por besojmë as edhe për faktorin ndërkombëtar, madje nuk do ti shërbente zgjidhjes së krizës, e cila është konfirmuar tashmë edhe ndërkombëtarisht", sqaroi deputeti Ruka në emër të PS.
Ai shtoi se Partia Socialiste dhe opozita, inkurajojmë Presidentin Topi për organizimin e kësaj tavoline.
“Shpresojmë që ai do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta realizuar atë sa më parë". theksoi deputeti Ruka në fjalën e tij. (Lajmifundit.com)