TIRANE – Ministria e Brendshme bëri me dije gjendjen e krijuar nga reshjet e shiut dhe borës në zonat e prekura të vendit ndërsa pohoi se rrugët e bllokuara janë hapur gjatë ditës së sotme prej forcave të emergjencave civile dhe policisë së shtetit. Sipas saportit të Ministrisë së Brendshme, referuar Emergjencave Civile, gjendja paraqitet e përmirësuar në Kukës, Shkodër, Lezhë, Korçë dhe në Dibër. Më poshtë, raporti:
Qarku Shkodër
Situata në rrethin e Shkodrës është normalizuar. Gjatë ditës së djeshme në rrethin e Shkodrës ka patur 25 mm shi, ndërsa gjatë natës reshjet kanë qenë të pakta. Të gjitha rrugët për në fshatrat e përmbytura në muajin Janar, janë të kalueshme nga të gjitha mjetet. Ka ende 1600 ha tokë në prezencë uji, 42 shtëpi të rrethuara nga uji dhe 3 shtëpi në prezencë uji.
Në Malësinë e Madhe vështirësia në qarkullim paraqitet vetëm në rrugën për në Komunën e Kelmendit, ku nevojitet përdorimi i zinxhirëve. Ndërkohë është e bllokuar edhe rruga Bogë –Theth, dhe për këtë shkak, qarkullimi për në komunat e zonës së Dukagjinit, Shalë, Pult, Shosh kryhet nga rruga e Shoshit që lidhet me Shkodrën.
Në rrethin e Pukës ka patur reshje të dobëta dëbore, të shoqëruara me temperatura të ulta. Rrugët janë të gjitha të kalueshme dhe në disa segmente kalohen me vështirësi, kurse përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm, si në rrugën Qafë Mali-Qafë Shllak-Kukës-Morinë dhe në rrugën Qafë Mali-Fierzë. Në rrethin e Pukës vazhdon të mbetet e bllokuar vetëm rruga për në Komunën Iballë. Ktualisht
Qarku Lezhë
Aktualisht situata paraqitet normale, dhe reshjet për ditën e djeshme nuk kanë qenë intesive. Kanë rënë vetëm 34 mm shi, por pa sjellë situata problematike.
Rrugët nacionale dhe rurale në shkalle qarku janë të kalueshme plotësisht dhe nuk ka patur probleme në qarkullim. Policia e Qarkullimit Rrugor ka qenë vazhdimisht në kontroll dhe në ndihmë të qarkullimit normal të automjteteve. Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë.
Qarku Kukës
Dje ka patur reshje intesive shiu dhe breshëri, kurse në zonat malore mbi 600 m ka patur reshje bore. Reshjet për një periudhë kohe prej rreth 1 ore në mesditë kanë qënë shumë intensive aq sa në qytetin e Kukësit bora krijoi një shtresë prej 30 cm. Në të gjithë rrjetin rrugor qarkullimi i automjeteve nuk ka patur probleme, me përjashtim të rrugës nacionale Qafë Mali –Morinë që në segmente të veçanta ka patur bllokime të përkohshme për shkak të rrëshqitjeve të inerteve dhe reshjeve të dëborës. Rruga për në Shishtavec u hap nga inertet, por qarkullohet me vështirësi edhe për shkak të reshjeve të dëborës. Moti sot është më i butë dhe pritet të kemi pakësim të reshjeve. Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara rrugët për në komunat Arrën, Grykë Çajë dhe Zapod.
Qarku Dibër
Edhe ditën e djeshme në qarkun e Dibrës ka patur reshje shiu dhe në zonat malore mbi 600 m ka patur reshje dëbore. Më me intesitet reshje ka patur në rrethin e Dibrës dhe më pak në Bulqizë. Gjatë natës dhe aktualisht nuk ka reshje, por temperaturat janë relativisht të ulta deri në -20 C. Në të gjithë segmentet rrugore nuk ka ngrica. Ndërprerja e reshjeve gjatë natës që kaloi ka sjellë përmirësim të situatës dhe gjithashtu të rrjetit rrugor. Aktualisht vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat Lurë dhe Kala e Dodës në rrethin e Dibrës dhe komuna Trebisht, si dhe disa fshatra të komunës Martanesh, në rrethin e Bulqizës.
Rrugët nacionale janë të kalueshme në shkallë qarku, por në disa segmente gjithmonë problematike, si në Qafë Buall dhe në hyrje të qytetit të Bulqizës qarkullohet me zinxhirë. Situata mbahet në kontroll të vazhdueshëm nga Policia e Qarkullimit Rrugor. Drejtoria Rajonale e Rrugëve dhe subjektet nënkontraktore po punojnë me borëpastruese dhe hedhjen e kripës dhe të skorjeve.
Qarku Korçë.
Situata paraqitet normale. Ka patur reshje dëbore gjatë natës, por jo intensive. Sot në mëngjes kanë filluar me intensitet. Në disa segmente të aksit Korçë- Librazhd, kryesisht në Qukës, Qafë Thanë dhe Korçë–Kolonjë, në Qafë Qarri ka patur vështirësi në kalimin e mjeteve për shkak se reshjet e dëborës kanë qenë të mëdha. Nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve e mbështetur nga punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor, është punuar pandërprerje për pastrimin e dëborës dhe nuk është lejuar bllokimi i rrugës. Në akset e tjera rrugore nuk ka probleme.
(Lajmifundit.com)