Tuesday, February 2, 2010

Tiranë, kapet tutori, shfrytëzonte adoleshentet si prostituta

TIRANE – Një person i akuzuar për shfrytëzimin seksual të dy vajzave në Tiranë të cilat më pas ka tentuar ti trafikojë në Kosovë, për të njëjtin qëllim kriminal, u arrestua sot nga policia në kryeqytet.
Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, mësohet se policia e Tiranës në bashkëpunim me policinë e Kukësit, arrestuan shtetasin Përparim Kaçi, 41 vjeç, gjatë aksionit të koduar “Tërthorja”.
Sipas policisë, Përparim Kaçi, 41 vjeç, është banues në fshatin Domje, Tiranë, dhe është i pandehur për akuzën e kryerjes së veprës penale “trafikim i femrave për qëllime shfrytëzimi prostitucioni”.
Policia njoftoi se arrestimi i këtij personi është bërë, për shkak se ka shfrytëzuar në mënyrë sistematike për prostitucion në qytetin e Tiranës, në hotele të ndryshme, dy shtetase, përkatësisht E.S. 18 vjeç dhe M.M. 22 vjeç dhe më pas ka tentuar t’i trafikojë ato në drejtim të Kosovës për t’i shfrytëzuar sërish për prostitucion.
Arrestimi është kryer në flagrancë në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, pas një hetimi intensiv të strukturave për hetimin e krimit, në momentin që po përpiqej të trafikonte dy shtetaset e sipërpërmendura.
“Nga hetimet e deritanishme është bërë i mundur dokumentimi ligjor i kësaj vepre penale, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për dokumentimin në tërësi të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi”, tha policia.
Sipas saj, dosja penale për këtë ngjarje i kaloi për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. (Lajmifundit.com)