Friday, November 30, 2012

Tabaku me raport mjekësor, KLD shtyn masën ndaj gjyqtarit të Xhakjes

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka shtyrë për të premten e ardhshme, 7 dhjetor masën disiplinore ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku. Vendimi është marrë pas dorëzimit të një tjetër raporti nga ana e gjyqtarit që liroi Ilir Xhakjan, kreu i KLD-së propozoi mbledhjen e radhës të KLD-së vetëm për këtë çështje. Nëse dhe javën e ardhshme Tabaku nuk do të jetë, Nishani tha se duhet të paraqesë avokatin e tij ose përfaqësues për të proceduar me masën disiplinore. "Zoti Tabaku ka risjell përsëri raport mjekësor dhe kërkon që të shtyhet shqyrtimi i propozimit të ministrit. Raportin e parë e ka paraqitur në datën 5 nëntor, 14 ditë raport, sot është përsëri me 15 ditë të tjera, propozimi im është të detyruar nga procedura dhe ligji për ta pasur prezent shtyhet dhe mbledhja e radhës, do të bëhet të premten e ardhshme në orën 11.00", tha Nishani. Ministri Halimi ka kërkuar shkarkimin e tij pasi ka abuzuar me detyrën. Neritan Tabaku është gjyqtari që liroi autorin e vrasjes së kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj. KLD ka nisur mbledhjen me diskutimet për kriteret e gjyqtarëve që do të jenë pjesë e Gjykatës Administrative në Shkallën e Parë dhe në Apel. Anëtari i KLD-së njëkohësisht dhe relatori i çështjes, Ilir Mustafaj tha se ligji është dekretuar që në tre maj dhe KLD është mbrapa me procedurat për emërimin e gjyqtarëve.