Thursday, April 25, 2013

Vrasja për bastin e ndeshjes Borusia-Real, arrestohet autori në Krujë


Arrestohet nga policia autori i dyshuar për vrasjen e ndodhur në Borizanë të Krujës ku një i ri u qëllua për vdekje gjatë ndeshjes Borusia Dortmund-Real Madrid.

Burimet zyrtare thanë se Sherbimet e Komisariatit te Policisë Krujë arrijnë të kapin autorin e dyshuar të ngjarjes se ndodhur ne fshatin Borizane, e cila përfundoi me vdekjen e shtetasit Florind Kadiu.
Struktura e policisë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur kanë qenë të angazhuara në drejtim të kërkimeve në terren për kapjen e autorit.
Gjatë ditës së sotme, në sajë të informacioneve të mbledhura është bërë lokalizimi i këtij shtetasi, i cili për t’iu shmangur hetimit ishte fshehur në pyll (zona malore sipër fshatit Borizanë).  Shtetasi Durim Xaka u arrestua në flagrancë për veprat penale të vrasjes me dashje dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.
Gjatë operacionit për kapjen e shtetasit Durim Xaka, ky i fundit nuk iu ka bërë rezistencë shërbimeve të Policisë. Në cilësinë e provës materiale  28-vjecarit  iu gjet dhe sekuestrua arma e krimit, thikë, dhe gjatë kryerjes së veprimeve proceduriale ai pranoi autoresinë e veprës.
Nga veprimet hetimore e proceduriale të kryera  rezulton se kjo ngjarje e cila përfundoi tragjikisht kishte  motive tejet banale (grindje e çastit).
Materialet proceduriale iu përcollën për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.