Monday, January 20, 2014

Capello: Thohir nuk po e ndihmon Interin

Trajneri aktual i Rusisë, Fabio Capello, pas humbjes që e përjetoi Interi kundër Genoas, 0:1, e ka fajësuar presidentin e ri të Interit, Erick Thohir, që nuk po investon për ta përforcuar skuadrën.“Kur bëhet fjalë për skuadra të rëndësishme, mendohet se kur vjen një president i ri të mund të bëjë diçka për të përforcuar këtë skuadër. Thohir nuk po e bën, kjo është e vërteta. Dikush që hyn në skuadra si Interi nuk mund të bëjë diskutime të tilla se është më mirë më parë të shesim pastaj të blejmë. Janë tifozë që kanë kujtime fitoresh, kujtime të lumtura, nuk mund të mendohet për një vit tranzicioni. Nuk më bind, nuk po bën asgjë. Interi është një pasuri e futbollit italian, nuk mund të humbasim lojtarët më të rëndësishëm”, ka theksuar Capello.
Ai më tej ka folur edhe për Milanin, duke rezervuar fjalë të mira për Clarence Seedorfin. “E zgjodha për Real Madridin kur ishte 20-vjeç. Është pjekur shumë, më ka dhënë përshtypjen se e di se ku do të shkojë, më ka dhënë përshtypjen se është i bindur për aftësitë e tij, e mbi të gjitha se mund t’i japë diçka më shumë kësaj skuadre. Jo aq për eksperiencën, pasi eksperiencë si trajner nuk ka, por mbi të gjitha duke krijuar grupin dhe duke krijuar një mentalitet fitues që ka karakterizuar gjithmonë Milanin. Pengesa më e madhe do të jenë rezultatet e para si dhe të kuptojë vlerën e skuadrës që ka në dorë, pasi ndonjë lojtar e njeh, por nuk i njeh të gjithë në thellësi dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme”, ka shtuar Capello.
Pavarësisht gjithë këtyre Capello nuk mund t’i shikojë kuqezinjtë favoritë në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madridit. “Bëj tifo për Milanin, duke qenë se jam me Realin dhe nuk mund të bëj tifo për Atleticon. Por ata kanë pak mundësi. Te spanjollët kam parë një skuadër kompakte, të vendosur, por që ka edhe kualitete, një skuadër shumë e vështirë për tu mundur. Atletico ka një skuadër kompakte që lufton për çdo top dhe është e vendosur mirë në fushë. Të përballesh me Barcelonën dhe të mos i lejosh të luajë si do është e vështirë, dhe ata ia dolën”, ka përfunduar Capello.