Monday, January 20, 2014

Llalla: Po hetojmë vrasjen e Aleks Nikës më 21 janar dhe dhunën e policisë ndaj protestuesve

Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla ka deklaruar sot se pas një analize të përbashkët me policinë e shtetit po hetohet intensivisht për zbardhjen e një prej vrasjeve të 21 janarit të mbetur ende pa autor (vrasja e Aleks Nikës) si dhe për dokumentimin e dhunës së policisë ndaj protestuesve.
Në një deklaratë në analizën e policisë së shtetit, Llalla ka thënë se me të drejtë partnerët tanë ndërkombëtarë ngrejnë çështje që kërkojnë zgjidhje nga institucionet shqiptare, ku përmendet gjerësisht rasti “21 Janari”. Kjo çëshje komplekse ka disa dimensione;
Së pari, një pjesë e hetimit, ajo që ka të akuzuar konkret, tashmë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë;
Së dyti, për personat e akuzuar si organizatorë të protestës së “21 Janarit” është pushuar çështja, për shkak të amnistisë së vitit 2012.
Së treti, ajo që është pjesa më e rëndësishme në këtë diskutim, janë faktet ende të pazbardhura për njërën prej vrasjeve dhe veprimet arbitrare të ushtruara nga ana e policisë kundër protestuesve. Siç jeni në dijeni, për zbardhjen e këtyre elementëve të hetimit ka një angazhim të Prokurorisë së Përgjithshme. Pak javë më parë janë zhvilluar analiza të detajuara në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, të cilat janë karakterizuar nga vullneti i përbashkët për të arritur në përgjegjës konkretë. Organi i Prokurorisë, krahas hetimeve të saj, ka lënë edhe detyra konkrete për strukturat e policisë gjyqësore për zbardhjen e të gjithë veprimeve antiligjore. Duhet të theksoj se hetimi është gjithëpërfshirës, ku përfshihen edhe ato pikëpyetje, për të cilat ka ndjeshmëri të lartë në media dhe në opinionin publik.