Tuesday, January 28, 2014

PS-LSI rrezojne dekretet e Nishanit për gjykatën e Lartë: Po përdoret nga PD

Me 16 vota nga deputetet e maxhorances, jane rrezuar sot ne Komisionin e Ligjeve dekretet e presidentit Bujar Nishani pe emerimin e anetareve te gjykates se Larte. 
Mazhoranca PS-LSI, është shprehur sot kundër dekreteve të presidentit Bujar Nishani për kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Gjovalin Përnoca dhe Petrit Ceno.
Komisioni Kuvendor i Ligjeve ka rmarrë sot shqyrtimin e 2 dekreteve ndërsa anëtari i majtë në këtë komision, deputeti Armando Subashi kërkoi që Kuvendi të mos japë pëlqimin për kandidaturat.
“Kërkuam informacion për dy kandidaturat nga MD, KLSH dhe ILDKP dhe arsyetoj që Kuvendi të mos japë pëlqimin për kandidaturat”.
Fjala e Subashit u mbështet dhe nga Blendi Klosi që theksoi se Nishani u zgjodh President për të mbrojtur interesat e Partisë Demokratike.
“Nishani u zgjodh për të mbrojtur interesat e PD. Nishani u zgjodh në kundërshtim të opozitës së atëhershme dhe sot nuk shkëputet dot nga urdhrat e Berishës”.
Klosi theksoi se për përzgjedhjen e dy kandidaturave nuk janë kryer as konsultimet e nevojshme.
Prej disa ditësh deputetët anëtarë në Komisionin Kuvendor të Ligjeve kanë marrë dosjen e plotë të dy kandidatëve së bashku me një korrespondencë mes kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe Presidencës.
Në një letër të 20 dhjetorit 2013, Meta i kërkon Nishanit dokumentacionin e plotë të dy kandidatëve. “Zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit nga ana e Kuvendit për kandidaturat përkatëse, rregullohen nga neni 111 i Rregullores. Bazuar në pikën 7 të nenit 111 të rregullores, në funksion të transparencës dhe shqyrtimit objektiv të kandidaturave që janë paraqitur prej Jush për dhënie pëlqimi, konstatojmë se ka mangësi në dokumentacionin shoqërues për secilin prej dekreteve”, thuhet në letrën e Metës.
Në përgjigje të kësaj letre, sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Arben Idrizi, ka dërguar tri ditë më vonë dosjen e plotë të kandidatëve, së bashku me kërkesat e tyre për të aplikuar për dy vendet e Gjykatës së Lartë për çështjet administrative.
Në korrespondencën e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, me disa prej institucioneve, bie në sy fakti që ILDKP-ja nuk i ka kthyer përgjigje kërkesës. Xhafaj kërkonte informacion mbi burimet, shumat dhe të ardhurat e deklaruara nga të dy kandidatët gjatë 10 viteve të fundit, informacion mbi verifikimin e plotë dhe analitik të deklaratave të pasurisë së këtyre kandidatëve dhe rezultatin e tyre nëse ekziston. Megjithatë, deri të dielën në mbrëmje deputetët nuk kanë pasur në dosjet e tyre dokumentacionin e ILDKP-së.